Kthehu
Llojet e bizneseve sipas legjislacionit shqiptar
23.12.2023
Shpërnda
Llojet e bizneseve sipas legjislacionit shqiptar

Investitorët vendas dhe të huaj kanë një sërë mundësish për të organizuar biznesin e tyrë në Shqipëri. Kjo mund të realizohet duke regjistruar biznesin si person fizik, duke themeluar dhe regjistruar një shoqëri tregtare ose duke regjistruar një degë ose zyrë përfaqësimi. Legjislacioni shqiptar njeh këto forma të organizimit të shoqërive tregtare:

1.Personi fizik

Konsiderohet forma më e thjeshtë e organizimit të një aktiviteti tregtar i cili krijohet nga një individ me përgjegjësi të pakufizuar në lidhje me përgjegjësinë apo borxhet e biznesit. Procedura e regjistrimit te biznesit konsiston në regjistrimin e të dhënave të pronarit, llojin e biznesit, adresën dhe xhiron mesatare të menduar për një vit.

2.Shoqëria kolektive

Shoqëria kolektive është shoqëria që kryen veprimtarinë tregtare nën një emër të përbashkët dhe në të cilën përgjegjësia e ortakëve përpara kreditorëve është e pakufizuar.

3.Shoqëria komandite

Konsiderohet shoqëria në të cilën përgjegjësia e të paktën njërit prej ortakëve është e kufizuar deri në vlerën e kontributit të tij, ndërsa përgjegjësia e ortakëve të tjerë nuk është e kufizuar. Ortaku, përgjegjësia e të cilit është e kufizuar deri në vlerën e kontributit të tij, quhet ortak I kufizuar, ndërsa ortaku, përgjegjësia e të cilit nuk është e kufizuar deri në vlerën e kontributit të tij, quhet ortak i pakufizuar.

4.Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar

Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar është forma më e përhapur e shoqërive tregtare. Në këtë formë shoqërie, e cila mund të themelohet nga persona fizikë ose juridikë, ortakët nuk përgjigjen për detyrimet e shoqërisë tregtare dhe mbulojnë personalisht humbjet e shoqërisë deri në pjesën e pashlyer të kontributeve të nënshkruara. Kapitali i shoqërisë me përgjegjësi të kufizuar formohet nga kontributet e ortakëve, i ndarë në kuota. Secili ortak gëzon kuotën e tij në shoqëri, në përpjesëtim me kontributin që ka dhënë në kapital.

5.Shoqëria Aksionare

Shoqëria Aksionare është një shoqëri tregtare e themeluar nga persona fizikë ose juridikë, të cilët nuk përgjigjen personalisht për detyrimet e shoqërisë e që mbulojnë humbjet e saj vetëm me vlerën e pashlyer të aksioneve të nënshkruara. Kapitali i shoqërisë është i ndarë në aksione të nënshkruara nga themeluesit. Shoqëria aksionare mund të jetë me ofertë private ose me ofertë publike

WhatsApp