Shoqëria me Përgjegjësi të Kufizuar është forma më e përhapur e shoqërive tregtare në Republikën e Shqipërisë. Aktet kryesore për themelimin e një shoqërie me përgjegjësi të kufizuar janë Akti i Themelimit dhe Statuti. Elementët kryesorë që duhet të përmbajnë këto akte janë:
› Emri;
› Forma;
› Data e themelimit;
› Të dhënat e identifikimit të themeluesve;
› Selia;
› Objekti, nëse është i përcaktuar;
› Kohëzgjatja;
› Organet vendimarrëse
› Të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e shoqërisë, kompetencat e përfaqësimit, si dhe afatet e emërimit të tyre;
› Vlera e kapitalit fillestar (vlera dhe lloji i kontributit)
› Ortakët dhe kuotat e tyre
› Likuidimi i shoqërisë
Së bashku me Statutin dhe Aktin e themelimit, depozitohen edhe aktet e emërimit të organeve të shoqërisë (nëse nuk përfshihen në aktin e themelimit ose statut) si edhe plotësohet dhe depozitohet aplikimi për regjistrimin fillestar. Procedura e regjistrimit të një shpk-je kalon nëpërmjet e-albanias në QKB dhe pasi miratohet, subjekti pajiset me NIPT duke i lindur kështu detyrimi të regjisrohet pranë organeve tatimore, në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, pranë inspektoratit të punës dhe organeve doganore (në varësi të objektit të veprimtarisë) si edhe në regjistrin e pronarëve përfitues.
Duhet patur parasysh që pas regjistrimit fillestar, përgjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre tregtare, subjektet kanë detyrimin e regjistrimit në QKB edhe të ndryshimeve apo të veprimeve, të cilat janë të detyrueshme sipas legjislacionit shqiptar, si: ndryshimet në aktin e themelimit, në statut; depozitimi i pasqyrave financiare vjetore, raporti i ecurisë së veprimtarisë dhe raporti i auditimit; emërimi i likuiduesve; ndryshimi i adresave të ushtrimit të aktivitetit të shoqërisë etj. Këto ndryshime duhet të deklarohen dhe regjistrohen brenda 30 ditëve kalendarike nga data e ngjarjes së rrethanës faktike dhe/ose e hartimit të aktit të detyrueshëm për t’u regjistruar.
Deklarimi në regjistër i të dhënave të pavërteta, moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme, brenda afateve ligjore konsiderohen shkelje administrative dhe dënohen me gjobë. Nëse subjekti nuk i ka kryer regjistrimet e detyrueshme të mëparshme ose nuk ka shlyer pagesat e gjobave, QKB refuzon kryerjen e regjistrimeve të mëtejshme.
Dokumentacioni shoqërues:
- Statuti dhe Akti i Themelimit nëse janë përgatitur në dy dokumente të ndryshme
- Aktet e emërimit të organeve të shoqërisë, nëse nuk përfshihen në aktet e mësipërme.
- Dokumenti i identifikimit të përfaqësuesit ligjor, ortakëve, personit të autorizuar për të realizuar regjistrimin (nëse aplikimi nuk bëhet nga përfaqësuesi ligjor i shoqërisë)
- Prokura noteriale nëse aplikanti nuk është përfaqësuesi ligjor i shoqërisë.

