Në qoftë se i referohemi Kodit Civil, askund nuk gjejmë termin “kontratë konsumatore”. Duket se kemi të bëjmë me një prej atyre formave të veçanta që nuk rregullohen nga dispozitat e kodit por gjithsesi bazën e gjejnë aty. Por në fakt kontrata konsumatore ju përgjigjet njëkohësisht shumë prej atyre formave të kontratës, pasi ajo është një kategori ku përfshihen forma të ndryshme kontratash që rregullojnë marrëdhënie të shumta mes subjekteve që ndajnë karakteristtika të përbashkëta. Janë pikërisht subjektet ato që i japin kuptim kontratës konsumatore.
Pra, në këtë marrëdhënie nga njëra anë qëndron konsumatori që është çdo person i cili blen mallra ose përdor mallra apo shërbime për plotësimine nevojave vetjake, për qëllime që nuk kanë lidhej me veprimtarinë tregëtare ose ushtrimin e profesionit. I njëjti kuptim për konsumatorin është dhënë edhe në ligjin Nr.9902, datë 17.4.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve” ku theksohet se për efekt të tij do të konsiderohet konsumator jo vetëm individi por organizatat jofitimprurëse. Pra konsumatorë jemi të gjithë sa herë kërkojmë të blemë një të mirë apo shërbim për të plotësuar kërkesat tona vetjake, duke përjashtuar kështu mundësinë që personi juridik i themeluar për zhvillimin e veprimtarisë tregtare të mund të konsiderohet si konsumator në rastin e blerjes të shërbimeve apo mallrave.
Përballë konsumatorit qëndron tregtari, personi që në kuadër të veprimtarisë tregtare, ofron mallin apo shërbimin e kërkuar prej konsumatorit. Pra ky mund të jetë prodhues, furnizues apo shitës, kjo ndryshon në varësi të mallit apo shërbimit të ofruar dhe mënyrës si e ofron. Sipas ligjit Nr.9902, datë 17.4.2008 “Për mbrojtjen e konsumatorëve” "Tregtar" është çdo person fizik ose juridik, i cili vepron për qëllime që lidhen me veprimtarinë e tij ekonomike, tregtinë, biznesin, zanatin ose profesionin, si dhe cilido, që vepron në emër ose në interes të tregtarit.”
Nga sa më sipër mund të kuptojmë disa nga karakteristikat kryesore të kontratës konsumatore:
- Është veprim juridik i dyanshëm;
- Është kontratë e lidhur mes konsumatorit që hyn në këtë marrëdhënie jo për të plotësuar interesa tregtare dhe tregtarit që vepron në kuadër të veprimtarisë tregtare;
- Objekti i kontratës mund të jetë çdo mall ose shërbim që shërben për plotësimin e interesesave vetjake të konsumatorit, mjafton që të plotësojë kushtet për të qenë pjesë e qarkullimit civil;
- Forma e kontratës varet nga malli apo shërbimi që ofrohet. Duke qenë se çdo produkt mund të ofrohet nga kontrata konsumatore forma do të varet nga natyra e tij dhe kërkesat e ligjeve të tjera.
Vëmendje të veçantë në kuadër të kontratës konsumatore merr kontrata standarte që gjen përdorim të madh në tregun e mallrave dhe shërbimeve pasi lehtëson transaksionin tregëtar dhe njëkohësisht mund të favorizojë konsumatorin. Por nga ana tjetër kushtet ku parashikohn të drejtat dhe detyrimet nuk negociohen në mënyrë të veçantë pasi kanë qëndruar vetëm në kushtet themelore.
Garancitë që jepen nga e drejta e konsumatorit gjenden fillimisht të garantuara në Kodin Civil që e njeh përgjegjësinë e prodhuesit dhe të tregtarit për produktet e ofruara me të meta apo që i kanë sjellë dëm blerësit. Përgjegjësia e parashikuar në Kodin Civil gjendet edhe e përcaktuar konkretisht sipas kontratave të veçanta. Gjithashtu në nenin 635 e në vijim të Kodit Civil parashikohet edhe përgjegjësia për publikimin mashtrues e cila konsiderohet si përgjegjësi me faj. Në të gjitha këto raste palës të dëmtuar i njihet e drejta për tju drejtuar gjykatës me kërkimin për shpërblimin e dëmit të shkaktuar. Nga formulimi i dispozitave konstatohet se Kodi Civil, megjithëse përmban dispozita të përgjithshme, ofron një mbrojtje të madhe për konsumatorin pasi prezumon përgjegjësinë e prodhuesit dhe i ngarkon pikërisht atij detyrimin për të vërtetuar se nuk ka faj dhe duhet të shkarkohet nga përgjegjësia ose se ndodhemi përpara rastit të përgjegjësisë të përzierë.

