Kthehu
Mbrojtja e punëmarrësve të huaj në punë
25.12.2025
Shpërnda
Mbrojtja e punëmarrësve të huaj në punë

Shumë biznese të huaja sot e kanë zgjeruar aktivitetin e tyre në Republikën e Shqipërisë, duke sjelle rrjedhimisht zgjerimin e lëvizjes së shërbimeve, mallrave por shpeshherë edhe punëmarrësve nga një shtet në një shtet tjetër. Në të njejtën kohë, shumë biznese shqiptare janë duke u hapur gjithnjë e më tepër ndaj tregut ndërkombëtar duke pranuar gjithnjë e më tepër punëmarrës të huaj. Këto fenomene, kanë sjellë domosdoshmërinë e rregullimit të kuadrit ligjor që të garantojnë të drejtat e punëmarrësve të huaj në vendin e punës.

Trajtimi shtetasve të huaj në Republikën e Shqipërisë bazohet në parimin e mosdiskriminimit dhe barazisë para ligjit. Në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë parashikohet dhe garantohet lëvizja e lirë e njerëzve si edhe e drejta për të fituar mjetet e jetesës bazuar në një punë apo profesion të vetëzgjedhur, duke i trajtuar këto të drejta pa asnjë lloj diskriminimi të bazuar në racën apo shtetësinë.

Edhe në Kodin e Punës, sigurohet trajtimi i barabartë për të gjithë punëmarrësit, pa asnjë lloj dallimi, duke përfshirë edhe punëmarrësit e huaj. Kjo zbatohet në të gjithë elementeët e marrëdhënies së punës, duke filluar nga kushtet e punës, kohëzgjatja në punë (kohëzgjatja normale: 40 orë në javë dhe në cdo rast jo më shumë se 200 orë në vit), pushimet vjetore (pas vitit të parë të punës, 4 javë kalendarike), shpërblimet (kur punon mbi orarin e caktuar apo në ditët e pushimeve zyrtare apo në fundjava), e drejta për t`u organizuar në sindikata, pushimet (garantimi i pushimit për cdo 3/4 orë punë), dëmshpërblimet (shkëputje e njëanshme e marrëdhënies së punës) etj. Pra, në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë pozitat e punëmarrësit, nuk bëhen dallime dhe shtetasit e huaj që qëndrojnë në formë të rregullt në Republikën e Shqipërisë, përfitojnë të njejtat të drejta dhe garanci si shtetasit shqiptarë.

Për sa më sipër, legjislacioni shqiptar garanton lëvizjen e lirë të punëmarrësve në tregun e punës, konform përcaktimeve dhe instrumentave ligjore të BE-së, si edhe u garanton shtetasve të huaj me qëndrim të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë, të drejtat dhe liritë themelore në fushën e punësimit, ashtu si edhe shtetasve shqiptarë.

WhatsApp