Kthehu
Mbrojtja e veçantë e grave në punë
25.12.2025
Shpërnda
Mbrojtja e veçantë e grave në punë

Legjislacioni shqiptar, por edhe akte të tjera ligjore ndërkombëtare i kushtojnë vëmendje të veçantë mbrojtjes së grave në punë duke vendosur dhe bërë të detyrueshme për t`u zbatuar disa standarte dhe parime themelore. Vëmendje e veçantë i kushtohet neutralizimit të problematikave që mund të lindin nga diskriminimi apo kur gruaja ndodhet në kushte specifike si shtatëzania. Në Republikën e Shqipërisë, këto parime dhe standarte mishërohen dhe garantohen që në Kushtetutë. Në nenin 3 të saj përcaktohet se “Dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij… janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t`i respektojë dhe t`i mbrojë” dhe në nenin 18 të saj sanksionohet se “…të gjithë janë të barabartë para ligjit … askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore” Këto të drejta konsiderohen si të pandashme, të patjetërsueshme, të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik. Ndërsa në Kushtetutë, këto të drejta janë sanksionuar në vija të përgjithshme, në aktet e tjera ligjore rregullohen dhe specifikohen ne menyrë të detajuar. Për të ilustruar mbrojtjen e veçantë të grave në punë, kemi sjellë disa copëza nga Kodi i Punës.

Në nenin 32 të Kodit të Punës parashikohet detyrimi i punëdhënësit për të mbrojtur personalitetin dhe dinjitetin e punëmarrësit, duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta garantuar këtë dhe për të parandaluar cdo qëndrim që cënon dinjitetin e punëmarrësit. Në nenin 54 të Kodit të Punës parashikohen lehtësirat që kanë gratë shtatzanë në lidhje me pushimin në punë. Sipas këtij neni, gratë shtatzëna duhet ta kenë të rregulluar pushimin çdo 3 orë (ndërkohë për punëmarrësit e tjerë pushimi është I parashikuar çdo 4 orë). Sipas Kodit (neni 55) pesha maksimale që mund të mbajë një grua punëmarrëse është 20 kg përkundrejt 55 kg të përcaktuar si kufi maksimal për punëmarrësit burra etj. Në kod ka gjithashtu një seksion të tërë që rregullon marrëdhënien e punës në rastet kur nëna është shtatzënë/ është nënë e re/ birëson një fëmijë etj. Gratë shtatzëna kanë të drejtën e lejes së barrëlindjes për një periudhë 365 ditore (periudhë e mbrojtur gjatë së cilës është e ndaluar të cënohet vendi i punës). Nga këto 365 ditë, 35 ditë para lindjes dhe 63 ditë pas lindjes janë të detyruara (duhet patur parasysh që këto përllogaritje ndryshojnë në rast se nëna pret të lindë më shumë se një fëmijë). Të drejtën për të përfituar leje lindje, e kanë edhe nënat birësuese. Në nenin 104 parashikohet detyrimi i punëdhënësit për ndalimin e punësimit të grave shtatzëna dhe nënave me fëmijë në gji në punë të rënda dhe të rrezikshme. Kur gruaja nuk mund të kryejë një punë për arsye të rrezikut që ajo paraqet për jetën dhe shëndetin e saj, punëdhënësi duhet t`i ofrojë një punë tjetër dhe nëse kjo nuk është e realizueshme, duhet t`i paguajë pagën. Nëse punëmarrësi ka fëmijë të mitur në ngarkim ka të drejtë të bëjë 12-15 mungesa në vit me pagesë dhe deri në 30 ditë mungesa në vit pa pagesë, në rastet kur fëmija ka probleme shëndetësore etj.

 Përcaktimet e mësipërme janë edhe më të detajuara në akte të tjera nënligjore si VKM, udhëzime dhe urdhëra, të cilët kanë një natyrë më dinamike dhe që i përgjigjet më shpejt ndryshimëve të realitetit në vend. Legjislatori përvec se garanton të drejtat e punëmarrëseve gra nëpërmjet këtyre dispozitave, përcakton edhe sanksione për punëdhënësit në rast se ata nuk i respektojnë keto detyrime.

WhatsApp