Kthehu
Shperblimi i dëmit jashtëkontraktor
25.12.2025
Shpërnda
Shperblimi i dëmit jashtëkontraktor

Një nga parimet themelore të bashkëjetesës në shoqërinë njerëzore është ndalimi për t’i shkaktuar dëm tjetrit (alterum non laedere ose neminem laedere). Zbatimi i këtij parimi gjen rregullim në dispozitat mbi përgjegjësinë civile jashtëkontraktore të parashikuara nga nenet 608-647 të Kodit Civil. Për sektorë të veçantë shkaktimi i dëmit mund rregullohet edhe me ligje specifike. Në bazë të kësaj përgjegjësie, qëllimi është që cilido, që shkel të drejtat dhe interesat e ligjshme të një tjetri, detyrohet t’a dëmshpërblejë atë. Nëpërmjet dëmshpërblimit synohet pikërisht rivendosja e plotë e të dëmtuarit në gjendjen e mëparshme, në të cilën ai do të gjendej nëse nuk do të ndodhte fakti i paligjshëm1.

Në nenin 608 të Kodit Civil, parashikohet: “Personi që, në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin ose në pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar. Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cenimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira”.

Rrjedhimisht, nëse vërtetohet fakti i paligjshëm dhe lidhja shkakësore e tij me dëmin, lind marrëdhënia e detyrimit, e drejta subjektive e personit të dëmtuar për të kërkuar dëmshpërblim dhe detyrimi i personit përgjegjës për ta shlyer atë. Gjithashtu, me shkaktim të dëmit “në personin ose në pasurinë” e të dëmtuarit kuptohet jo vetëm lidhja ndërmjet tij dhe dëmit, por edhe dallimi ndërmjet cënimeve të natyrës pasurore dhe atyre jopasurore në të drejta dhe interesa të ligjshme të të dëmtuarit. Në nenin 609 te Kodit Civil parashikohet: “Dëmi duhet të jetë rrjedhim i drejtpërdrejtë dhe i menjëhershëm i veprimit ose mosveprimit të personit. Mospengimi i një ngjarjeje nga personi që ka detyrimin ligjor për ta mënjanuar, e ngarkon atë me përgjegjësi për dëmin e shkaktuar”.

Pra, për të pasur përgjegjësi civile për shkaktimin e dëmit jashtëkontraktor (pasuror dhe jopasuror), duhet të ekzistojnë në mënyrë kumulative katër kushte, si me poshtë:

1.     Dëmi (pasuror ose jopasuror).

2.     Fakti i paligjshëm (veprimi ose mosveprimi i paligjshëm).

3.     Lidhja kauzale (shkak-pasojë) midis veprimit ose mosveprimit të paligjshëm dhe dëmit të shkaktuar.

4.     Faji (në formën e dashjes ose pakujdesisë).


-    Dëmi pasuror dhe jopasuror

Ekzistenca e dëmit në vetvete nënkupton që nga veprimet ose mosveprimet e një subjekti, një tjetër subjekt të ketë pësuar një dëm në personin ose pasurinë e tij. Nisur nga natyra e së drejtës së shkelur, dëmi mund të këtë karakter pasuror ose dëm jopasuror.

Neni 640 i Kodit Civil, parashikon: “Dëmi pasuror që shpërblehet, përbëhet nga humbja e pësuar dhe fitimi i munguar. Shpërblehen gjithashtu shpenzimet e kryera në mënyrë të arsyeshme për të shmangur ose pakësuar dëmin, ato që kanë qenë të nevojshme për të përcaktuar përgjegjësinë dhe masën e dëmit, si dhe shpenzimet e arsyeshme të kryera për të siguruar shpërblimin në rrugë jashtëgjyqësore”

Lidhur me dëmin, nenet 486 dhe 640 te Kodit Civil dallojnë humbjen e pësuar nga pakësimi i pasurisë, që njihet si dëmi aktual (apo dëmi emergjent) dhe fitimin e munguar. Dëmi pasuror sjell si pasojë cënimin e pasurisë së të dëmtuarit në kuptimin e ngushtë ekonomik, pra, humbjen e pasurisë në mënyrë të paligjshme. Prandaj edhe dëmshpërblimi i dëmit pasuror ka për qëllim të rikthejë pasurinë e të dëmtuarit në gjëndjen e mëparshme.

Ndërsa përsa i përket dëmit jopasuror, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, që në preambulën e saj, ka parashikuar si një ndër objektivat që synon të arrihen, ndërtimin e një shteti të drejtës dhe garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Kushtetuta parashikon se: “… dinjiteti i njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, … drejtësia shoqërore … janë baza e këtij shteti, i cili ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë”. Sipas neneve 3, 15 e vijues të Kushtetutës, parashikohet mbrojtje e posaçme dhe e barabartë e të mirave pasurore dhe atyre jopasurore të njeriut. Dëmi jopasuror, i parashikuar në nenin 625 te Kodit Civil, si një kategori e gjerë dhe gjithëpërfshirëse e dëmeve jashtëkontraktore, përfshin çdo lloj dëmi të pësuar nga cënimi i të drejtave dhe interesave jopasurore që bëjnë pjesë në vlerat e njeriut dhe që nuk janë subjekt vlerësimi të drejtpërdrejtë ekonomik në treg. Në thelbin e saj, kjo dispozitë njeh të drejtën e dëmshpërblimit për çdo lloj dëmi jopasuror jashtëkontraktor, i cili është “i ndryshëm nga ai pasuror”.


-          Fakti i paligjshëm:

Faktet do të kualifikohen të paligjshme, kur sjellin si pasojë shkeljen ose cënimin e të drejtave, lirive dhe interesave të të tjerëve, të cilat gëzojnë mbrojtje nga rendi juridik ose zakonet e mira (Kushtetuta, aktet ndërkombëtare, ligjet dhe aktet nënligjore apo parimet e përgjithshme të së drejtës)

Faktet që mund të sjellin shkaktimin e dëmit, mund të jenë në formën e veprimeve apo mosveprimeve. Veprimi ose mosveprimi i paligjshëm është një sjellje e vullnetshme dhe e vetëdijshme e personit. Paligjshmëria cilësohet si një kategori objektive. Në nenin 609/2 të Kodit Civil është parashikuar se, “Mospengimi i një ngjarjeje nga personi që ka detyrimin ligjor për ta mënjanuar, e ngarkon atë me përgjegjësi për dëmin e shkaktuar”. Pra, sipas kësaj dispozite personi që për shak të një norme juridike apo çdo rregulli tjetër nuk përmbush një standart të vendosur nga ligji, mban përgjegjësi civile për të gjitha dëmet që vijnë si rrjedhim i drejtëpërdrejte dhe të menjëhershëm të faktit të paligjshëm. Kështu që, edhe mosveprimi sjell të njëjtat përgjegjësi si edhe veprimi.


-        Lidhja kauzale (shkak-pasojë)

Lidhja shkakësore parashikohet në nenin 609 të Kodit Civil. Ajo vlerësohet si ekzistenca e lidhjes objektive, të drejtëpërdrejtë dhe të pavarur nga vullneti i subjektit shkaktar të dëmit mes veprimit ose mosveprimit të kundërligjshëm dhe pasojës së ardhur. Kështu, sipas kësaj dispozite që të ekzistojë lidhja shkakësore midis faktit të paligjshëm dhe dëmit të shkaktuar, duhet që ky i fundit të jetë rrjedhim i drejtëpërdrejtë dhe i menjëhershëm i veprimit ose mosveprimit të personit. Pra, veprimi dhe pasoja duhet të vijnë njëri pas tjetrit, pa patur shkëputje në kohë.

Vërtetimi i lidhjes shkakësore është kusht thelbësor, për pranimin e përgjegjësisë civile të autorit të faktit të paligjshëm, si dhe për caktimin e detyrimit civil përkatës.


-          Faji:

Faji është qëndrimi subjektiv i personit në raport me veprimin ose mosveprimin e kundërligjshëm dhe pasojat që rrjedhin prej tij. Ai nënkupton vullnetin e brendshëm psiqik për të kryer veprimin dhe për të siguruar apo lejuar ardhjen e pasojave. Ky qëndrim shfaqet në dy aspekte, momenti intelektual dhe momenti volitiv. Momenti intelektual ka të bëjë me mundësinë subjektive për të parashikuar ose jo, pasojat që mund të vijnë nga një veprim ose mosveprim i caktuar. Kurse momenti volitiv lidhet me dashjen ose jo të ardhjes së tyre. Nuk ka rëndësi fakti nëse personi njeh

saktësisht se cilin ligj ka shkelur, e rëndësishme është që të dijë ose të ketë pasur mundësinë të dijë se veprimi ose mosveprimi i tij është i qortueshëm nga shoqëria. Padijenia e një personi për njohjen e ligjeve nuk e përjashton atë nga përgjegjësia civile.

WhatsApp