Kthehu
Ndryshimi midis arrestit si masë sigurimi dhe dënimit me burgim
25.12.2023
Shpërnda
Ndryshimi midis arrestit si masë sigurimi dhe dënimit me burgim

Kemi venë re se shpesh publiku bën konfuzion mes qëndrimit në kushtet e kufizimit të lirisë për shkak masës së sigurimit dhe kufizimit të lirisë për shkak të dënimit përfundimtar.

 Arresti me burg është një masë e përkohshme , që gjykata e vendos me kërkesë të prokurorit (kur presoni është kapur në flagrance ose jo) kur çështja është ende duke u hetuar. Gjykata në këtë rast merr në shqyrtim disa kritere ligjore:

-        Në qoftëse vihet në rrezik marrja e provave të reja;

-         Kur personi i dyshuar për kryrjen e veprës penale, ndaj të cilit kërkohet caktimi i masës së sigurimit, është larguar ose rrezikon t’i largohet drejtësisë;

-        Kur personi ndaj të cilit kërkohet të caktohet masa ka rrezik të kryerjë një krim tjetër të njëjtë ose më të rëndë.

Duhet patur parasysh qe masa e arrestit me burg nuk duhet të vendoset në qoftëse ka vend për aplikimin e një mase tjetër sigurimi nga ato që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Përveç këtyre kritereve ligjore detyruese, gjykata merr në konsideratë edhe elemente të tjerë si: natyra e veprës së kryer, rrethanat në të cilën mendohet të jetë kryer vepra, rrezikshmëria shoqërore e veprës, rrezikshmëria shoqërore e të pandehurit, ka qenë i dënuar më parë apo jo dhe për cilat vepra, etj.

 Në këtë rast gjykata vendos që i dyshuari të mbahet në kushtet e paraburgimit për një periudhë të caktuar kohore ose deri sa të merret një vendim dënimi, pafajësie ose pushimi. Gjatë kësaj kohe prokurori kryen hetime, pra merr prova të reja që provojnë ekzistencën ose jo të veprës penale dhe fajësinë ose jo të personit të dyshuar. Gjatë kësaj periudhe personi nën hetim vazhdon të qëndrojë në kushtet e kufizimit të lirisë për shkak të masës dhe jo dënimit.

 Në përfundim të hetimeve, pasi prokurori ka arritur në përfundimin se personi nën hetim, që ndërkohë ka qenë me masë sigurimi “Arresti me burg”, e ka kryer veprën penale, i komunikon akuzën, përfundimin e hetimeve dhe dërgon në gjykatë kërkesën për gjykimin e personit dhe dënimin e tij. Gjykimi që zhvillohet pas këtij momenti ka të bëjë pikërisht me ekzistencën e veprës penale dhe fajësinë e të akuzuarit që tashmë ka marrë statusin e të pandehurit. Ajo merr në shqyrtim provat, ku i pandehuri paraqet edhe mbrojtjen e tij dhe kundërshtimet ndaj provave dhe në fund gjykata pasi ka konkluduar se është konsumuar vepra penale shprehet në qoftëse i pandehuri është fajtor apo jo. Në rast se ky person shpallet fajtor gjykata detyrimisht vendos edhe për llojin dhe masën e dënimit.

 Forma më e shpeshtë e parashikuar në pjesën e posaçm të Kodit Penal është dënimi me burgim. Pra, në çdo rast burgimi është formë dënimi dhe vendoset nga gjykata në përfundim, pra kur hetimi nga prokuroria dhe gjykimi nga gjykata ka mbaruar. Në këtë rast flasim për “burgim” pasi personi është dënuar dhe pasi ky vendim të ketë marrë formë të prerë i pandehuri merr statusin e të dënuarit dhe ka një trajtim të ndryshëm ligjor nga sa kishte kur i ishte kufizuar liria në një institucion të kufizimit të lirisë për shkak të masës së sigurimit.

Pra dallimet mes këtyre dy instituteve janë disa, sidomos po të referohemi te mënyra se si bëhet kufizimi efektiv i lirisë, ambjentet në të cilat qëndron i pandehuri, përfitimet që ka, etj, të rregulluara nga ligji 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”. Një dallim tjetër i rëndësishëm është mënyra e përllogaritjes së diteve në interest ë vuajtjes së dënimit përfundimtar. Qëndrimi në kushtet e paraburgimit, pra kufizimi i lirisë para dënimit me vendim përfundimtar nga ligji konsiderohet i barabartë me 1 ditë e gjysmë qëndrim në kufizim të lirisë në burg.

 Për ta bërë më të qartë sa thamë më lart po marrim një shembull:

Personi A dyshohet se ka kryer një vjedhje pasi është kapur nga punonjësit e policisë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes dhe në dorë mbante ende sendet e vjedhura. Në këto kushte ai arrestohet në flagrancë dhe në një afat kohor brenda 48 orëve nga kryerja e arrestit prokurori i kërkon gjykatës të vleftësojë të ligjshëm arrestin, pasi është kryer në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale dhe të caktojë ndaj këtij personi masën e sigurimit personal “Arresti në burg” pasi plotësohen kriteret e përgjithshme dhe të posaçme të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale. Gjykata e konsideron të ligjshëm arrestin dhe cakton masën e kërkuar nga prokurori. Për efekt të afateve dhe përllogaritjeve të mëvonshme do të konsiderohet se masa i ka filluar efektet që në momentin e arrestimit. Nga ky moment deri në momentin që vendimi i dënimit të tij ka marrë formë të prerë, kalon një periudhë prej 3 muajsh. Pra do të themi se deri në këtë moment ky person ka qenë me masë sigurimi në paraburgim.

Me vendimin përfundimtar gjykata e ka shpallur personin A fajtor për kryerjen e veprës penale të vjedhjes, sipas nenit 134/1 të Kodit Penal dhe e dënon atë me 6 muaj burgim.

Në këtë rast koha e qëndrimit në kushtet e paraburgimit do të përllogaritet si pjesë e masës së dënimit, pra periudha 6 mujore e dënimit do të llogaritet nga dita e arrestimit dhe përllogaritja do të bëhet sipas formulës 1 ditë paraburgim = një ditë e gjysëm burgim

Pra shtetasi A ka qendruar në paraburgim për shkak të masës së sigurimit për 3 muaj, prandaj kjo periudhë për shkak të përllogaritjes së vuajtjes së dënimit do të përllogaritet si vijon:

3 muaj x 1.5 = 4.5 muaj burgim të vuajtur Pjesa e mbetur për tu vuajtur nga dënimi prej 6 muajsh do të jetë

6 muaj – 4.5 muaj = 1.5 muaj

Pasi vendimi të ketë marrë formë të prerë, personi A do të qëndrojë në burg edhe për një periudhë kohore prej 1 muaj e gjysëm dhe menjëherë pas plotësimit të këtij afati do të lirohet dhe dënimi do të konsiderohet i vuajtur plotësisht. Së fundmi, Gjykata Kushtetuese ka parashikuar që i njejti parim do të zbatohet edhe ne rastet e arrestit të shtëpisë.

WhatsApp