Kthehu
Rrethanat lehtësuese dhe rënduese në procesin penal
25.12.2023
Shpërnda
Rrethanat lehtësuese dhe rënduese në procesin penal

Gjykata që merr vendimin përfundimtar për dënimin ose jo të të pandehurit njëkohësisht duhet të shprehet edhe për llojin dhe masën e dënimit. Proçesi i përshtatjes së llojit të dënimit dhe masës në teorinë e së drejtës quhet individualizim i dënimit. Në këtë proçes gjykata duhet të marrë në konsideratë një sërë elementësh ku kryesori është lloji dhe masa e dënimit e parashikuar nga vetë dispozita sipas të cilës akuzohet i pandehuri. Dënimi në çdo rast nuk mund të jetë i ndryshëm nga kufijtë e përcaktuara në ligj, me përjashtim të rasti kur për arsye të vecanta gjykata mund të ulet nën minimum.

Gjithashtu do të mbahen në konsideratë edhe rrethanat në të cilën ka ndodhur ngjarja apo rrethanat personale ku ndodhej autori i veprës në kohën e kryerjes së veprës penale apo në kohën e dënimit. Këtyre elementëve në Kodin Penal legjislatori ju referohet me termin rrethana rënduese ose

lehtësuese. Rrethanat rënduese janë të renditura shprehimisht në ligj dhe asnjë rrethanë tjetër nuk mund të konsiderohet si e tillë (në teorinë e së drejtës ka debate në qoftëse se rrethanat rënduese janë apo jo akuza të reja, por ky diskutim nuk është në interes të këtij artikulli). Kjo ndodh pasi ndikojnë që masa e dënimit të jetë me e lartë, ose që të mos aplikohen alternativat e dënimit. Këto rrethana parashikohen në nenin 50 të Kodit Penal.

Disa prej rrethanave qe rëndojnë dënimin mund të përmendim:

·       Kryerja e veprës i shtyrë nga motive të dobëta;

·        Kryerja e veprës për të vënë para përgjegjësisë ose për të fshehur përgjegjësinë penale të një tjetri apo për të shmangur dënimin për një vepër penale tjetër ;

·       Kryerja e veprës penale me egërsi dhe mizori;

·       Kryerja e veprës penale pas vendosjes së personit nën mbikëqyrje elektronike;

·       Kryerja e veprës penale duke shpërdoruar funksionin publik ose shërbimin fetar;

·       Kur vepra është kryer kundër fëmijëve, grave shtatzëna ose personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen;

·       Kryerja e veprës penale gjatë ose pas dhënies së urdhrave gjyqësorë të mbrojtjes nga dhuna në familje;

·       Kur vepra është drejtuar ndaj përfaqësuesve të shteteve të tjera;

·       Kur vepra është drejtuar ndaj personave të zgjedhur dhe funksionarëve publikë, për shkak të detyrës.

·       Kur vepra është kryer duke përfituar nga marrëdhëniet familjare, të bashkëjetesës, të miqësisë, të mikpritjes;

·       Kryerja e veprës penale në bashkëpunim ose më shumë se një herë;

·        Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive që kanë të bëjnë me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike etj.

Siç e përmendëm edhe më lart veç rrathanave rënduese ligji parashikon edhe rrethanat lehtësuese të cilat ndikojnë që gjykata të japë një masë dënimi më të lehtë, ose të aplikojë alternativat e dënimit.

Neni 48 i Kodit Penal parashikon:

Lehtësojnë dënimin rrethanat që vijojnë:

·       Kur vepra është kryer e shtyrë nga motive me vlera pozitive morale e shoqërore;

·        Kur vepra është kryer nën ndikimin e tronditjes psikike të shkaktuar nga provokimi ose veprime të padrejta të viktimës apo të ndonjë personi tjetër;

·       Kur vepra është kryer nën ndikimin e veprimeve apo të udhëzimeve të padrejta të eprorit;

·       ç) Kur personi që ka kryer veprën tregon pendim të thellë;

·        Kur personi ka zëvendësuar dëmin e shkaktuar nga vepra penale ose ka ndihmuar aktivisht për të zhdukur ose pakësuar pasojat e veprës penale;

·       dh) Kur personi paraqitet në organet kompetente pas kryerjes së veprës penale;

·       Kur marrëdhëniet ndërmjet personit që ka kryer veprën penale dhe të dëmtuarit janë normalizuar…

 Në praktikë secili prej të pandehurve mund të jetë në kushtet për të paraqitur rrethanat lehtësuese para gjykatës: arsye shëndetësore personale ose të familjarëve, arsye shkollimi, arsye të posaçme për tu përkujdesur për familjen, arsye ekonimike, etj. Është në interes të të pandehurit të verë në dispozicion të gjykatës akte të tilla si: çertifikata familjare, për të provuar se jeton në një familje që ka nevojë për praninë dhe përkujdesjen e tij, veçanërisht në qoftëse ka fëmijë të mitur, kartela mjekësore, vërtetime për gjendjen shëndetësore, vërtetime se trajtohet me kemp, për vete apo familjarët, vërtetime se vetë apo familjarët janë të papunë apo vërtetime për trajtimin me ndihmë sociale; vërtetime se ndjek studimet, deklaratë që provon se ka rregulluar marrëdhëniet me palën e dëmtuar nga vepra penale, etj.

Duke mos qenë i kufizuar numri i atyre rrethanave që mund të konsiderohen lehtësuese,. të pandehurit mund të venë në dispozicion të gjykatës çdo akt shkresor që provon fakte që mendon se do të lehtësojnë pozitën e tij në raport me masën e dënimit. Por të tilla fakte nuk mjafton të pretendohen gojarisht para gjykatës, duhet të bazohen mbi prova, zakonisht në dokumenta të lëshuara nga organi kompetent.

WhatsApp