Sekuestroja parashikohet në nenet 208-220 të K.Pr.Penale dhe është një mjet për kërkimin e provës që ka për qëllim marrjen dhe ruajtjen nga ana e organit procedues të provave dhe sendeve që kanë lidhje dhe i përkasin veprës penale. Sipas nenit 208 të K.Pr.Penale, organi kompetent për të vendosur sekuestrimin e provave materiale apo të sendeve që lidhen me veprën penale është gjykata dhe në raste përjashtimore vendos prokurori (neni 210 i K.Pr.Penale).
Nga ana e organit procedues mund të vendoset sekuestrimi i çdo sendi të luajtshëm ose të paluajtshëm, i cili lidhet me objektin e të provuarit në proçesin penal dhe jep njoftime për zgjidhjen e drejtë të çështjes penale. Lidhja që mund të kenë sendet, dokumentat, objektet etj, me proçesin penal mund të jetë e ndryshme, ato mund të jenë mjete të cila kanë shërbyer për kryerjen e krimit, produkte të veprës penale, sende të cilat mbajtja ose tjetërsimi i tyre përbën në vetvete vepër penale etj.
Për sa i përket standartit të provës, në vendimmarrjet e organit procedues që lidhet me sekuestrimin e dokumentave, provave materiale apo korespondencës, nga interpretimi sistematik i neneve 208 – 220 të K.Pr.Penale, rezulton se emëruesi i përbashëkët është “ekzistenca e arsyeve të bazuara për të menduar që këto sende kanë lidhje me veprën penale”.
Konkretisht:
Neni 208/a flet për sekuestrimin e të dhënave kompjuterike. Sipas kësaj dispozite në rastin e procedimeve për veprat penale në fushën e teknologjisë së informacionit, gjykata, me kërkesë të prokurorit, vendos sekuestrimin e të dhënave dhe të sistemeve kompjuterike.
Paragrafi 2, sanksionon se “Kur ekzistojnë shkaqe të arsyeshme për të menduar se të dhënat e kërkuara kompjuterike janë memorizuar në një sistem tjetër kompjuterik apo në një pjesë të tij dhe këto të dhëna janë në mënyrë të ligjshme të kapshme prej ose janë të disponueshme nga sistemi kompjuterik fillestar, që kontrollohet, gjykata, me kërkesë të prokurorit, urdhëron menjëherë kërkimin ose hyrjen edhe në këtë sistem kompjuterik”.
Neni 209 parashikon sekuestrimin e korespondencës. Sekuestrimi i korrespondencës bëhet vetëm me vendim gjykate dhe në raste të ngutshme me urdhër të prokurorit. Edhe këtu standarti që udhëheq palët është “ekzistenca e arsyeve të bazuara”. Kjo do të thotë se vendimi i gjykatës për vendosjen e sekuestrimit duhet të jetë i bazuar në të dhëna dhe fakte bindëse, të grumbulluara nga policia gjyqësore deri në këtë fazë të hetimit të cilat në tërësinë e tyre tregojnë se letrat, letrat me vlerë, zarfet, pakot, vlerat monetare e pasurore, telegramet dhe mjetet e tjera të
korrespondencës të cilat janë dërguar nga i pandehuri ose që i drejtohen atij, qoftë edhe në emër tjetër ose nëpërmjet një personi tjetër, kanë lidhje me veprën penale.
Në nenet 299, 300 të K.Pr.Penale është parashikuar përjashtimi nga rregulli. Në këtë rast marrja e plikove, e korrespondencës ose sekuestrimi i provave materiale kur ka rrezik që të humbasin bëhen me iniciativë të policisë gjyqësore. Për këtë qëllim nga oficerët e policisë gjyqësore mbahet procesverbal i cili brenda 48 orëve duhet t`i dërgohet pa vonesë prokurorit i cili brenda 48 orëve vijuese me vendim të motivuar vleftëson sekuestron kur ekzistojnë kushtet.
Duhet theksuar se edhe në rastet kur sekuestrimi i korrespondencës bëhet me urdhër të prokurorit apo me iniciativë të policisë gjyqësore, standarti i ekzistencës së arsyeve të bazuar mbetet i paprekur. Përjashtimi në këtë rast diktohet vetëm nga ekzstenca e rrezikut për humbjen apo shkatërrimin e sendeve në fjalë.
Në nenin 210 të Kodit të Procedurës Penale është parashikuar e drejta e gjykatës për të vendosur sekuestrimin pranë bankave të dokumentave, letrave me vlerë, shumave të depozituara në llogari rrjedhëse dhe çdo gjë tjetër, kur ka arsye të bazuara për të menduar se ato kanë lidhje me veprën penale, edhe kur nuk i përkasin të pandehurit ose nuk janë në emër të tij. Në raste të ngutshme ky sekuestrim mund të kryhet edhe me vendimin e prokurorit.

