Shtetasit të huaj i lind e drejta për të kërkuar shtetësinë shqiptare kur plotësohen disa kushte si: të ketë banuar në formë të rregullt në Shqipëri për një periudhë deri në 7 vjet (kohëzgjatja ndryshon në varësi të formës së aplikimit), të ketë të ardhura financiare të mjatueshme, të mos përbëjë rrezik për sigurinë publikë, të mos jetë dënuar për vepra penale për të cilat ligji parashikon dënime me jo më pak se 3 vjet heqje lirie (me përjashtim të dënimeve për motive politike), të ketë njohuri fillestare të gjuhës shqipe (A2), të ketë njohuri mbi historinë e Shqipërisë etj. Kategoritë e kërkesave vijojnë si më poshtë:
Kërkesë për fitim të shtetësisë me origjinë;
Kërkesë për fitim të shtetësisë me natyralizëm:
Kërkesë për fitim të shtetësisë me natyralizëm nga i huaji mbi 18 vjeç me qëndrim të rregullt në Republikën e Shqipërisë; Kërkesë për fitim të shtetësisë me natyralizëm nga persona pa shtetësi;
Kërkesë për fitim të shtetësisë me natyralizëm nga të huajt e martuar me shtetas shqiptar;
Kërkesë për fitim të shtetësisë me natyralizëm nga i huaji, fëmija i mitur i të cilit ka shtetësinë shqiptare; Kërkesë për fitim të shtetësisë i fëmijës së dy prindërve që kanë fituar shtetësinë shqiptare me natyralizëm; Kërkesë për fitim të shtetësisë i fëmijës së një prindi që ka fituar shtetësinë shqiptare me natyralizëm; Kërkesë për fitim të shtetësisë me birësim;
Kërkesë për fitim të shtetësisë nga refugjatet, apo persona me mbrojtje plotësuese.
Pavarësisht se cdo kategori ka një listë specifike dokumentacioni, aplikanti duhet të vendosë në dispozicion: një kopje të njëhsuar të pasaportës (e cila duhet të jetë e vlefshme); dëshmi penaliteti nga vendi i origjinës; dokumentacioni që vërteton burimet financiare; certifikatë familjare; certifikatë lindje; kërkesë drejtuar Presidentit e nënshkruar personalisht nga aplikanti; 4 fotografi, mandate banker që vërteton pagimin e tarifës së aplikimit. Në varësi të llojit të aplikimit mund të nevojitet edhe: leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, vërtetimet përkatëse nga zyra e emigracionit, certifikatë martese, akt pronësie/ qiramarrje, dëshmi e mbrojtjes së gjuhës shqipe, dëshmi e kalimit të provimit të historisë etj. Në rastin e dhënies së provimit të gjuhës shqipe dhe historisë, duhet patur parasysh që institucioni i vetëm arsimor që njihet në këtë rast, është Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, i cili i hap cdo muaj datat e provimeve dhe aplikimi bëhet vetëm online.
Në rast se depozitohen dokumenta të lëshuara nga një shtet i huaj, ato duhet domosdoshmërisht të jenë me vulë apostile dhe të jenë të përkthyera dhe noterizuara në Shqipëri. Duhet patur parasysh që vlefshmëria e tyre është vetëm 6 muaj nga moment ii lëshimit të dokumentit. Një kategori e caktuar dokumentash pranohen vetëm në original dhe dorëzimi i fotokopjeve mund të passjellë refuzimin e aplikimit.

